Viktor Zhusti dhe Ana Golja, aktore, producente, këngëtare në Kanada do të jenë prezantuesit e Festivalit të 57-të në RTSh. Dyshja e zgjedhur u prezantua përmes një konference për shtyp, që u mbajt nga Drejtuesit e këtij edicioni në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar.

Gjithashtu gjatë konferencës u publikuan disa nga elementët e spektaklit të tre netëve të Festivalit.

“Në fakt surprizat nuk e bëjnë festivalin, festivalin e bën një krijimtari e bukur, një estetikë e bukur, një prezantim i bukur; ky është thelbi. Sigurisht që i ftuari është si qershia mbi tortë dhe ne me buxhedet tona duhet të kemi kujdes me ata që ftojmë sepse dëshirat mund të jenë të ndryshme. Ajo që mund të them për Ermal Metën është se ai ka vendin më të bukur që historikisht mund t’ja krijonte situate. Vjen si fituesi i Festivalit të Sanremos që është festivali mitik e shembull i të gjithë festivaleve. Është hera e parë që në Festivalin tonë vjen një fitues i po këtij viti i Festivalit Sanremo, që fatmirësisht është Ermal Meta, një shqiptar, që iku në Itali si emigrant dhe sot është një këngëtar me një axhendë të ngjeshur, me mbi 300 koncerte të zëna aktualisht. Ermali do të jetë natën e parë të Festivalit”, tregoi Drejtorja Artistike, Inva Mula.

Në natën e dytë të gjithë artistët konkurrentë do të kenë performanca dhe edhe vetë prezantuesja Ana Golja do të ketë një numër special.

Në natën e tretë do të jenë dy homazhe dedikuar dy figurave të rëndësishme siç janë Gaqo Çako dhe Fatos Arapi. Si dhe e ftuar do të jetë Erza Muqolli, artistja 12 vjeçare që ka bërë për vete gjithë publikun francez, si fituese e “France Got Talent”.

Viktori Zhusit rreth propozimit për të prezantuar Fesivalin, të cilit i kthehet pas 47 vitesh pasi ka prezantuar Festivalin e 10-të, së bashku me Edi Luarasin, u shpreh se:

“Mendova që pas 47 viteve të vish sërish në skenën e festivalit, një festival që nuk ka asnjë lidhje qoftë në organizim qoftë në konceptim me atë të 47 viteve më parë m’u duk me shumë interes. Në festivalin e 10-të kam qenë bashkë me kolegen time Edi Luarasi. Edi Luarasi ishte një yll që kaloi në skenën shqiptare, këngëtare, aktore me një bukuri dhe inteligjencë të veçant,ë së cilës në këtë rast megjithëse ka problem shëndetësore i uroj të ketë sa më shumë shëndet, uroj të jetë gjithmonë mirë, sepse nga yll është shndërruar në një meteor që kaloi në qiellin shqiptar. Kur më thanë për festivalin e 57-të u emocionova! Kur shikoj me kë duhet ta prezantoj u trondita!”

Ana Golja: “Unë e njihja nga gjyshërit e mi të cilët edhe në Kanada e ndjekin Festivalin. E kam shumë për nder që jam prezantuesja këtë vit dhe falenderoj shumë Inva Mulën dhe RTSH sepse u jam shumë mirënjohëse.”

Drejtori i Festivalit Martin Leka, sa i takon prezantueses së zgjedhura vlerësoji se: “Ka plot shqiptarë që edhe pse kanë lindur këtu edhe pse kanë mbaruar një shkollë këtu, ikin jashtë dhe jo vetëm nuk dinë shqip, por edhe atë që e dinë e harrojnë. Dhe mësimi më i madh që sjell Ana përveç artit të saj është që di një shqipe të shkëlqyer, e sigurisht kjo gjë është edhe meritë e prindërve të saj; ndaj Ana është një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë ata që janë jashtë, apo që ikin jashtë dhe nuk marrin me vete thelbin e të qenit shqiptar që është gjuha. Një ndër vlerat më të mëdha që sjell Ana është pikërisht ky mësim për gjithë shqiptarërt”.