Soni Malaj rikthehet në Festivalin e Këngës në RTSH pas 10 vitesh. Kjo mungesë e ka një arsye. “Në festivalin e madh nuk mund të marrësh pjesë çdo vit. Për vitet që kam në skenë, më duhet të prezantohem me një material të kuruar, që të më përfaqësojë në këtë stad profesional në të cilin ndodhem.” Në këtë festival, Soni vjen me këngën “Më e fortë” me muzikë të Irkenc Hykës dhe tekst të Big Bastës dhe Petro Xhorit. Duke vlerësuar mesazhin shumë të rëndësishëm, Soni tregon se në qendër të këngës është një femër. “Jo ajo së cilës i është kënduar zakonisht, që qan dhe i lutet të dashurit. Por bëhet fjalë për një femër të pavarur, të pa atashuar me një mashkull, e cila edhe kur lodhet, nuk dorëzihet.” – tregon këngëtarja për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”. E pyetur për performancën e natës së dytë, Soni zbulojln disa detaje. “Si këngëtare dhe performuese, kemi menduar për një performancë shpërthyese që të nxjerrim në pah kuptimin e këngës, ndihmuar edhe nga efektet skenike.”. Në lidhje me mbështetjen e deritanishme, Soni veçon atë të publikut dhe kolegëve. “Ajo që më gëzon është se kam patur si rrallëherë nga kolegët, figurat publike dhe nga vet publiku. Mesazhi është përthithur, shumë femra e kanë gjetur veten dhe kënga ka emocionuar.”