Orgesa Zaimi prezantohet për here të tretë në Festivalin e Këngës në RTSH me një krijim të Gentian Lakos në muzikë dhe tekst. “Mora një telefonatë nga Genti Lako. Kur dëgjova demon e këngës, m’u mbush mendja pasi me Gentin kemi dhe shije të ngjashme muzikore.” – u shpreh Orgesa sot gjatë intervistës në “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH. Në lidhje me tekstin Zaimi tregon se kënga flet për të besuarit nëse ka një jetë pas vdekjes dhe për shpirtrat që enden si hije kur u ka mbetur diçka peng. E pyetur për performancën në skenë këngëtarja nuk zbulon shumë detaje. “Duke u bazuar në titullin e këngës, do të ketë shumë hije në skenë. Megjithatë ka qenë sfiduese ideja për të bërë një performancë natën e dytë të festivalit. Do të realizoj diçka të thjeshtë por me kuptim.” Ethet e garës kanë nisur edhe për Orgesën. “Festivali ka ethet, emocionet e veta. Është ngjarja më e rëndësishme e vitit në muzikë dhe me pëlqen që jam pjesë e tij edhe këtë vit.” – përfundon Orgesa.