Një nga duetet e Fest’ 57 është edhe ai mes Marko Strazimirit dhe Imbros. Të dy këngëtarët vijnë për herë të parë në Festivalin e Këngës në RTSH dhe këtë ngjizje artistike e ka bërë autori i këngës Adrian Hila. “Ideja ishte e kompozitorit i cili mendoi se dy zërat tanë do të shkonin mirë bashkë.” – tregon Marko në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”. “Menduam pse të mos provojmë një gjë të re. Rezultati na pëlqeu dhe e vazhduam këtë ide.” Edhe vargjet e këngës janë shkruar nga Adrian Hila, nën titullin “Leyla”. Me një tematikë të pa prekur më parë, Strazimiri shpjegon historinë e Lejlës. “Fabula e këngës është marrë nga një fenomen, i cili ka ndodhur dhe vijon të ndodhë. Prek jo vetëm moshën time por edhe familjet e vajzave që mbesin shtatzënë në moshë të vogël.” Kënga është një baladë me motive etnike shqiptare.