Lidia Lufi ngjitet për herë të parë në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH me një krijim të kompozitorit Enis Mullaj. “Unë me Enisin jemi njohur vitin e kaluar në festivalin “Luleborë”. Ai kishte një material të veçantë dhe nuk kishte gjetur deri atëherë një zë për ta interpretuar. Bashkëpunimi erdhi shumë organik.” – kështu tregon Lidia në intervistën për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”. Këngëtarja nga Shkodra e ka shkruar vetë tekstin e këngës, një ide që e kishte prej kohësh në mendje. “Teksti ka ardhur shumë natyrshëm. Pas një kohe të vështirë që kam kaluar në jetë, që nga vdekja e babait.” – rrëfen 20 vjeçarja. “Arti kur është dhuratë e asaj që ke kaluar në jetë del më mirë se çdo herë tjetër. Është një teskt i cili flet për marrëdhënien që njeriu ka me zotin, në rrafshin personal. Por aty mund ta gjejë veten kushdo.” Kënga titullohet “Rrëfehem” dhe është një këngë medituese. “Kam qenë personi që kam shkuar drejt melodive të zymta dhe filozofike. Këtë herë vij me një krijim më “dark”, i cili të bën të hulumtosh te vetja e të mendosh për veten.” Lidia nuk dëshiron të zbulojë më shumë për performancën e natës së dytë, ndonëse premton që do të jetë diçka e veçantë. Ajo vlerëson mbi të gjitha intepretimin live në skenë e shoqëruar nga Orkestra Simfonike e RTSH. “Çdo këngëtar ndihet i privilegjuar dhe i veçantë në prani të Orkestrës. Është vlerë që kënga të cilën e kemi krijuar me shumë dashuri e pasion, të ekzekutohet nga Orkestra.”