Pas shtatë vitesh mungesë Kujtim Prodani kthehet në garën e Festivalit me këngën “Babela”, një histori pëlqimi e kantautorit me shoqen e bankës së klasës së tetë të kantautorit. Prodani, i ftuar sot në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH tregoi se cili ishte ngacmimi që çoi në realizimin e kësaj kënge. “Para tre apo katër vitesh në një mbrëmje po këndoja dhe po luaja në piano. Më afrohet një zonjë, me pa në sy dhe më tha: ‘Më mban mend se kush jam?’. ‘Jo’, i thashë. Më tha: ‘Unë jam shoqja e bankës së tetë vjeçares. Të kujtohem?’ Dhe kështu lindi ideja e këngës.” – tregon Kujtim Prodani. Pyetjes se çfarë e riktheu në festival pas disa vitesh mungesë, Prodani u përgjigj: “Duke patur parasysh që ky festival i është besuar Inva Mulës, Pandi Laços, Bledi Laços, Sokol Marsit e shumë të tjerë, mendova që ka sinqeritet artistik. Besoj në festival dhe tek ata që e realizojnë.” Si një pjesë e mirë e këngëve të Kujtim Prodanit, edhe kënga konkurruese në Fest’ 57 është e një karakteri narrativ, një histori e vërtetë, e muzikuar prej tij me vargje të Agim Xhekës.