Kelly vjen në Festivalin e Këngës pas katër vitesh mungesë me një krijim krejtësisht të tijin në muzikë dhe vargje. Kënga titullohet “A më ndjen” dhe siç tregon artisti në një intervistë për “Mirëmëngjes Shqipëri”, bëhet fjalë për një histori dashurie. “Kënga flet për largësinë mes dy personave dhe gjurmët që ngelen pas kësaj largësie.” Me këtë këngë, Kelly është kthyer te pop-rock-u. “Jam kthyer te muzika ime, te muzika pop-rock. Kisha kohë pa bërë një baladë.” Duket se nata e dytë e quajtur si “nata performancë” i ka vënë në lëvizje artistët. Kështu ka ndodhur edhe me Kelly-n ndonëse nuk pranoi të jepte shumë detaje për performancën e tij. “Natën e dytë kam menduar të ftoj një mikun tim të më shoqërojë në performancën e këngës.” – tregon këngëtari, i cili nuk zbuloi nëse miku i tij artist do e shoqërojë në instrument apo në një duet vokal. I pyetur për konkurrencën dhe emrat që këtë vit janë në garë, Kelly përgjigjet: “Ndihem i lumtur pasi shoh emra që i kam dëgjuar me shumë ëndje dikur. Më vjen mirë që janë kthyer në festival. Konkurrenca duket e fortë, por duhet të jetë e paqtë dhe fituesi të përqafohet nga të gjithë.” Në Festivalin e Këngës, kjo është pjesëmarrja e tij e katërt pas atyre të vitit 2009, 2012 dhe 2014 respektivisht me këngët “Ajo”, “Ylli im polar” dhe “Nëse ti do”.