Klodiana Vata në këtë debutim në Festivalin e Këngës në RTSH prezantohet me këngën “Mbrëmje e pafund” me muzikë të kompozitorit Edmond Zhulali. Sesi lindi bashkëpunimi me kompozitorin e këngës, e ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipër”, Klodiana tregon: “Krejt rastësisht kam rënë në kontakt me kompozitorin Edmond Zhulali, i cili më kishte dëgjuar duke kënduar. Për mua është privilegj të bashkëpunoj me të sepse është një nga kompozitorët më të mirë që kemi. Është përgjegjësi të këndoj një këngë të tij.” Vargjet janë shkruar nga poeti dhe autori i shumë teksteve të këngëve në festivale, Jorgo Papingji. “Kënga flet për dashurinë mes dy të rinjve. Është një premtim për një dashuri në pafundësi.” – shpjegon Vata. Në lidhje me pjesëmarrjen e saj të parë në këtë festival, këngëtarja shprehet: “Pjesëmarrja në festival është një nga gjërat më të mrekullueshme që më ka ndodhur deri tani.” Për të ka rëndësi jo vetëm pjesëmarrja por edhe fitorja. “Të marrësh pjesë në Festivalin e Këngës është shumë e rëndësishme sepse së pari këndon live shoqëruar nga orkestra. Që kur hyn në garë e mendon fitoren, pse jo dhe pjesëmarrjen në Eurovision.” “Mbrëmje e pafund” është një këngë ritmike, dhe në natën e performancës do e shohim Klodianën edhe duke kërcyer. Ne i urojmë, ashtu sikurse u shpreh edhe vetë Klodiana në intervistë, suksese dhe ta shijojë këtë eksperiencë.