Një nga cilësitë e produksioneve të Festivalit të 58-të të Këngës në RTSH ndër vite, është fakti që është sjellë ndryshe për publikun… që nga mënyra e organizimit, prezantuesit dhe deri te juria apo mënyra e votimit. Këtë vit, produksioni i Festivalit i është besuar dy emrave të njohur në median dhe spektaklet shqiptare, Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu. Të 20 këngët e festivalit do të jenë pjesë e platformave online me videoklipe, 30 ditë para nisjes së Festivalit, ku artistët do të tregojnë punët e tyre, duke i dhënë mundësi publikut të zgjedhë të preferuarën/in/it e tyre. Edicioni i 58-të i Festivalit do të vijë për publikun më i prekshëm se edicionet e tjera, pasi Radiotelevizioni Shqiptar do të jetë prezent në xhirimet e klipeve, ku do të sjellë ekskluzivitete, prapaskenat e provave me video dhe foto nga këngëtarët pjesëmarrës. Nga ana tjetër, çdo gjë lidhur me festivalin, para dhe gjatë netëve live do të jetë e pasqyruar deri në detaje nga RTSH në rrjetet e tij sociale dhe jo vetëm. Një gjë është e sigurtë: Ky do të jetë eventi muzikor i vitit!