Elona Islamaj merr pjesë për herë të parë në Festivalin e Këngës në RTSH. Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, Islamaj tregon më shumë për këngën. “Teksti është një monolog ëndrrash dhe përbetimesh që i kam bërë vetes. Jeta është e shkurtër, jemi kalimtarë në këtë botë dhe duhet të japim më të mirën.” Kështu e përshkruan këngëtarja tekstin e këngës “Në këtë botë kalimtarë” duke shpresuar që çdokush të gjejë veten. Elona shprehet se është mjaft e emocionuar në këtë pjesëmarrje. Ndonëse violiniste në Orkestrën Simfonike të RTSH, Elona këtë herë është e zhveshur nga emocionet e instrumentistes pasi këtë vit nuk do të jetë pjesë e orkestrës për t’u ngjitur në skenë si këngëtare. “Emocioni është mjaft i fuqishëm. Nuk e di si do i menaxhoj emocionet pasi ngjitem në skenë për herë të parë si këngëtare.” Por e pandarë nga instrumenti për të cilin ka studiuar në Universitetin e Arteve, artistja zbulon se në natën e performancës do të ngjitet në skenë bashkë me violinën. “Në natën e performancës do e shoqëroj veten me violinë. Kënga është konceptuar krejtësisht ndryshe nga nata e parë.” Kënga konkurruese në Fest’ 57 është një krijim i Elona Islamajt në nota dhe vargje, orkestruar nga Saimir Çili.