Eliza Hoxha ngjitet për herë të dytë në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH. Ndryshe nga debutimi i saj në vitin 2006, këtë herë prezantohet me një baladë. Kënga është shkruar disa vite më parë por Eliza zgjodhi ta nxjerrë nga sirtari, ku ka edhe të tjera krijime të saj, për ta prezantuar në festivalin e madh. Krijimi i vet Elizës në nota e vargje titullohet “Peng”. “Pengjet na mbesin për fajin tonë, ndonjëherë për shkak të rrethanave, pamundësive, keqkuptimeve, kryeneçësisë.” – shpjegon mesazhin e këngës. Artistja, e ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, u ndal edhe te performanca e natës së dytë. “Kënga nuk të lejon të eksperimentosh sepse është tepër intime. Nuk ka nevojë për shumë elemente sepse rrëfimi është aty. Sidoqoftë do të jetë ndryshe.” Se si e shikon rrugëtimin e Shqipërisë në Festivalin Europian, Eliza vlerëson: -“Shqipëria ka pasur prezantime dinjitoze. Pjesëmarrjen në Eurovision e shoh si një mundësi që Shqipëria të jetë në Europë edhe në një formë tjetër. Shqipëria ja ka dalë pavarësisht votimeve. Nuk duhet parë me idenë e rezultatit final, por si një mundësi për t’u prezantuar jashtë, për të qenë bashkë me të tjerët, për të parë se ku jemi e për t’u zhvilluar.” Por a e sheh Eliza veten në këtë skenë? “Ëndrra kemi të gjithë. Dikur festivali i fundvitit ka qenë një përmbledhje e muzikës shqiptare, ndërsa sot është edhe një mundësi më shumë për të përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Europian. Nëse ja dal, pse jo?!”