Dilan Reka vjen këtë vit për herë të tretë në Festivalin e Këngës në RTSH me një histori personale. I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, Dilani ka zbuluar detaje të këngës. “Është një histori personale. Kënga i dedikohet të gjithë atyre që më kanë mbyllur dyert dhe që nuk më kanë mbështetur atëherë kur kam pasur më shumë nevojë.” Këngëtari është entuziast që përmes këngës së tij të titulluar “Karma”, ka prekur një temë që nuk është cekur në Festivalin e Këngës e madje as në Eurovision. “Ideja e parë ishte që kënga të titullohej ‘Rilinda’ por vendosëm ta titullojmë ‘Karma’ pasi është më ndërkombëtare.” – shpjegon Reka. I pyetur për pritshmëritë që ka nga pjesëmarrja në festival, nuk heziton të pranojë që ka hyrë në garë me pretendim. “Kam ardhur për çmimin e madh. Nuk e di çfarë do të ndodhë, por unë do të jap më të mirën time.” Se si do të jetë performance e natës së dytë, Dilani nuk ndan asnjë detaj por pranon se puna ka nisur që herët. “Kemi tre muaj që po punojmë me këngën dhe performancën. Do të jetë diçka masive, me efekte, si në Video Music Awards.” Kënga konkurruese e Dilan Rekës në festival është e rrymës euro-pop, muzikuar nga Gridi Kraja me tekst të Florian Zykës.