Bruno Pollogati prezantohet këtë vit në Festivalin e Këngës në RTSH me një këngë funky-pop të titulluar “Nuk ka stop”. I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, Bruno tregon më shumë për këtë këngë. “Për mua është hera e parë që në repertor kam një këngë funky-pop. Doja të prezantohesha ndryshe nga herët e tjera.” Bruno ka realizuar vetë muzikën ndërsa vargjet janë shkruar nga Endrit Mumajesi. “Kur krijova vijën melodike i kërkova mikut tim, Endritit, të më ndihmonte me tekstin. Kënga flet për një vajzë pas së cilës mahnitesh dhe dehesh nga bukuria e saj.” Bruno madje ka zgjedhur që disa vajza të jenë pjesë e performancës së tij në skenë. “Gjashtë vajza do të jenë pjesë e performancës sime në festival. Do të jetë diçka e thjeshtë dhe e ngrohtë për publikun.” I pyetur se pse zgjodhi të këndojë vetëm dhe nëse grupi është shpërbërë, këngëtari shpjegon: “Grupi nuk është ndarë, por kemi bërë një ndryshim. Mund të këndojmë edhe solo, apo dhe bashkëpunime me artistë të tjerë. Është një eksperiencë e re për ne, që besoj se po funksionon mirë.” Nëse e ka menduar ndonjëherë pjesëmarrjen në Festivalin Europian, Pollogati përgjigjet me pyetjen: “Pse të mos e shikoj edhe unë veten në Eurovision? Kam hyrë në garë për të shijuar skenën, për të kënaqur publikun dhe kënga të pëlqehet. Por kam dhe një synim. Për të fituar e pse jo, të mund të shkoj edhe në Eurovision.” Në lidhje me prezantimet e mëparshme të Shqipërisë në Festivalin Europian, Bruno shprehet: “Në festival gjithmonë ka fituar më i miri dhe na kanë përfaqësuar denjësisht. Dhe për këtë unë por besoj edhe kolegët, jemi krenarë sepse kemi artistë shumë të mirë.” Pjesëmarrja në festival për të ka shumë rëndësi sepse: “Festivali i Këngës është më prestigjiozi në Shqipëri.” – përfundon Bruno Pollogati intervistën e tij në RTSH.