Aurel Thëllimi në Festivalin e Këngës rikthehet pas 12 vitesh me baladën “Të dua ty”. Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” Thëllimi tregon më shumë për këngën. “Termi dashuri në këngë nuk është personifikuar vetëm tek një individ. Ka një dimension më të gjerë. Te kjo dashuri janë të katër stinët e jetës, të shprehur në mënyrë filozofike. I themi ‘të dua ty’ çdokujt që afrohet pranë shpirtit.” Gjithçka nisi në ambientet e Teatrit të Operës së Baletit ku këngëtari Aurel Thëllimi dhe pianistja Ardita Bufaj ndajnë momentet e punës bashkë, respektivisht si bariton dhe koncert maestër në skenën e TKOB. “Për mua është një eksperiencë e veçantë pasi është hera e parë si kompozitore, përveçse do shoqëroj Aurelin në piano në skenën e festivalit.” – tregon Ardita e cila bashkë me Aurelin kanë kompozuar këngën. “Donim një këngë që të kalonte përmasat e kompeticionit dhe të ishte më afër shijes së publikut. Një ndërthurje e komerciales në mënyrën e të kënduarit dhe mjeshtërisë në mënyrën e të orkestruarit.” – shpjegon Thëllimi. Ndërkohë ka nisur edhe puna për performancën e natës së dytë. “Jemi në proces për të finalizuar performancën. Do të ftojmë një artiste shumë të njohur, kolege të Teatrit të Operës dhe Baletit.” – tregon Bufaj. “Një kolege që na ka shoqëruar në violinë që në regjistrimin e parë të këngës.” – shton Thëllimi. Për të dy artistët, prezantimi në festival shkon përtej garës dhe fitores. “Qëllimi nuk ka qenë gara por mesazhi. Dëshirojmë fitore, por ky material u perceptua që të godasë drejtpërdrejtë instinktin dhe gjendjen shpirtërore të qenies” – shprehet Aureli. “Nuk dua të tregoj më vetëm vlerat vokale por të jepen mesazhe të forta që kënga të rezistojë në vite.” – përfundon Aurel Thëllimi.