Gena

Biografia

Disa mund të jenë rritur me muzikën e tij, të tjerë janë celebruar e ndërkohë të tjerë kanë vajtuar me këngët e tij… ama të gjithë bien dakord që Gena është një nga emrat më popullorë në muzikën shqiptare, i cili me zërin e tij unik mund të këndojë këngë të çfarëdo zhaneri e t’i kthejë në hite.
Ndonëse karrierën e ka nisur 27 vite më parë në teatrin Andon Zako Çajupi në Korçë, ku për 12 vite ka punuar si baterist i këtij institucioni, Gena ka arritur që të kthehet në një nga këngëtarët më të kërkuar shqiptarë. Nga ana tjetër, studimet i ka kryer për një tjetër fushë të artit, pikturën.
Numëron mbi 8 albume të publikuara në një hark kohor prej 20 vitesh, duke furnizuar tregun shqiptar me hite moderne që kapërcejnë nga baladat te serenatat e bukura korçare, në muzikën e lehtë të viteve 2000, te muzika popullore/qytetare e deri në bashkëpunime me këngëtarë të muzikës Pop, Rock e RnB
Mijëra koncerte, miliona klikime, dhjetëra çmime të fituara në Shqipëri, Kosovë dhe kudo ku ka shqiptarë, por kjo nuk e ndali aspak Genën që këtë vit të ngjitet për herë të parë në Festivalin e Këngës në RTSH… si qershia mbi tortë!