Eli Fara

Eli Fara

Biografia

Koha për Eli Farën duket se ka ndaluar, por për karrierën e saj është përshpejtuar duke numëruar mbi 30 vite në skenë.
E ka nisur rrugëtimin e saj në muzikë në Festivalin e Gjirokastrës në vitin 1983 duke u pasuar me një 5 vjeçar shkollimi për kanto, për tu rikthyer sërish në të njejtën skenë, në vitin 1988. Në të dyja pjesëmarrjet e saj, Eli është vlerësuar me çmimin e madh, “Laureat i Festivalit”.
Në vitin 1989, këngëtarja emblemë e muzikës qytetare korçare u nderua me çmimin e parë në spektaklin “Mbrëmja e Muzikës Popullore”, ndërkohë që në 1995, vlerësohet me çmimin e dytë në konkursin muzikor “Kënga Popullore”.
Dhe kur flasim për Eli Farën na vijnë në mendje dhjetra këngë e hite në 3 dekada, si “Të dua për vete”, “Sonatë”, “Qeraxhiu i Grebenesë”, “25 Gërsheta”, “Me mua mos”, “Romale” apo Dënglat”, të cilat i kanë dhënë artistes qindra mijëra CD dhe kaseta të shitura e milion klikime.
Në janar të vitit 2017, Eli Fara nderohet nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtre e Madhe” duke vulosur kështu trashëgiminë e Elit në këngën qytetare shqiptare.
Pas dhjetra çmimeve dhe mijëra koncerteve, Eli Fara ngjitet në Festivalin e Këngës duke sfiduar breza e duke u bërë një vlerë e shtuar e eventit muzikor të vitit!