Artemisa Mithi dhe Febi Shkurti janë bërë bashkë në duetin që prezantojnë në Festivalin e Këngës. Në këtë atmosferë që i ka bërë këngëtarët të ndihen mirë, me emocione pozitive dhe përgjegjësi siç janë shprehur vet ata, Artemisa dhe Febi tregojnë për bashkëpunimin e tyre. “Unë e ftova Artemisën sepse doja që mesazhit të këngës t’i bashkëngjisja një zë melodioz.” – shprehet Febi për “Mirëmëngjes Shqipëri”. Kënga titullohet “Dua ta besoj” dhe artistët e përshkruajnë kështu mesazhin e këngës. “Kënga flet për realitetin shqiptar. Për çiftet që kërkojnë të largohen jashtë vendit për një jetë më të mirë. Duam të përcjellim mesazhin që ata të qëndrojnë pasi janë shpresa e këtij vendi.” – shpjegon Artemisa. Edhe pse Febi pranon se nuk ka hyrë në garë për të fituar, gjithsesi ka menduar që mesazhi i këngës t’i kalojë kufijtë. “Si të fitojmë, si të mos fitojmë, kënga do të realizohet edhe në anglisht. Jam në bisedime me kompani të huaja muzikore, me të cilat kam bashkëpunuar edhe më herët me grupin. Më vjen mirë që po shoh një reagim pozitiv edhe nga fansat apo blogje të ndryshme të Eurovision-it. Kjo gjë më ka bërë të mendoj se si ta sjell këngën edhe për publikun e huaj.”