Alar Band është grupi që prezantohet për herë të parë në Festivalin e Këngës në RTSH. Sot në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, djemtë premtuan se do të vijnë me një këngë ndryshe. “E veçanta është se kënga do të jetë e një stili ndryshe, jo si këngët që kemi realizuar deri tani.” – tregon vokalisti i grupit Xhieldo Hyseni. Kënga është punuar nga Elgit Doda në muzikë dhe Klea Huta në vargje dhe titullohet “Dashuria nuk mjafton”. “Është një këngë dashurie, e cila i dedikohet një vajze që nuk mjaftohet me dashurinë por kërkon dhe të mira materiale.” – shpjegon Xhieldo mesazhin e këngës. Për performancën e natës së dytë të festivalit, djemtë tregojnë se janë ende duke menduar për të realizuar diçka të veçantë. Po si e vlerësojnë ata të kënduarit live në skenën e festivalit? “Për ne është mirë që gjithçka është live pasi këngëtari, instrumentistët dhe vetë kënga dalin në pah. Ja sheshi, ja mejdani! Emocioni është më i mirë.” Ndërsa pyetjes nëse e kanë menduar veten në skenën e Eurovision-it, pianisti i grupit Ardit Serica shprehet: “Kënga jonë është një këngë që i shkon shumë Eurovision-it.” Djemtë e Alar Band tregojnë se do japim më të mirën e tyre dhe ne i urojmë suksese.